TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka vizituar sot pediatrinë e spitalit rajonal të Fierit, ku së bashku me të rinjtë e Kuvendit Rinor të Fierit ka shpërndarë dhurata për fëmijët me rastin e Krishtlindjes.
Në një postim në rrjetet sociale, Balluku theksoi rëndësinë e sjelljes së gëzimit dhe dashurisë te pacientët e vegjël dhe prindërit e tyre. Ajo vlerësoi vullnetarizmin dhe përgjegjësinë sociale si elementë të domosdoshëm për çdo të ri dhe të re, duke theksuar se këto vlera janë një pjesë e rëndësishme e formimit dhe kontributit shoqëror.
“Sot me të rinjtë e Kuvendit Rinor të Fierit, vizitova pediatrinë e spitalit rajonal, për të shpërndarë dhuratat e Krishtlindjes, për të shpërndarë pak gëzim e dashuri tek pacientët e vegjël e prindërit e tyre. Vullnetarizmi e përgjegjësia sociale janë elementë që duhet të ushtrohen nga çdo i ri dhe e re, si pjesë e formimit dhe kontributit shoqëror”, shkruan në postimin e saj Zëvendëskryeministrja Balluku.
Ky gjest solidariteti dhe humanizmi për Krishtlindje synon të sjellë pak dritë dhe shpresë për ata që e kalojnë festën në spital.
Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit.
/a.f/























