Ballina Aktualitet

Rama: Miqësi e fortë me SHBA, viti i ri sjelltë një paqe të drejtë për Ukrainën

Edi Rama, Kryeminister

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria  kremton aleancën dhe miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, Rama uroi që “viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi të reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona.

Po ashtu, kryeministri tha se “duam të jemi miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike”.

“Si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se do të donte që “karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë”.

“Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj”, uroi kryeministri.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEHERAN – Irani lejon sërish aksesin në aplikacionin e mesazheve “WhatsApp”
Artikulli tjetërRihapet gara ndërkombëtare për portin e ri në Porto Romano