Ballina Aktualitet

Ndalimi i TikTok-ut, Zhupa: Masë represive ndaj lirisë së shprehjes, nuk do ta lejojmë

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa reagoi sot në lidhje me vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Zhupa tha se “vrasjen e paramenduar të Ramës kundër TikTok për arsye elektorale nuk do ta lejojmë”.

“Shfrytëzues i një vrasje, jo për të marr përgjegjësi për dështimin e arsimit, por për të kryer ‘vrasjen’ e vet që kishte kohë që e mendonte. Asnjëri, as viktima, as autori nuk kishin llogari në TikTok. Sherri as nuk nisi as nuk u konsumua në TikTok. Por sikur rasti konkret të ishte nga përdorimi i TikTok përsëri detyrimi do ishte i masave proporcionale”, tha Zhupa.

Sipas saj, “çdo masë kufizuese duhet të jetë proporcionale me qëllimin që synon të arrijë”.

“Një ndalim total i TikTok-ut është masë represive ndaj lirisë së shprehjes, sidomos nëse problemet mund të adresohen me masa si edukimi digjital, vendosja e filtrave të sigurisë ose rregullimi i përmbajtjes. Koha e këtij vendimi është tregues qartë se interesi elektoral është motivi i vërtet i kërkesës antikushtetuese për mbylljen e një media sociale, platforme komunikimi si TikTok. Ajo që fshihet realisht është paramendimi i hershëm i kësaj vrasje, për arsye elektorale, e cila ishte menduar se do të kryej nga Komisioni për Dizinformimin, si masë nga ‘lufta e armiqve të huaj'”, tha Zhupa.

Sipas Zhupës, “Rama, nisi komisionin e dizinformimit pikërisht me qëllimin që nga puna e tij do dilte nevoja për të mbyllur TikTok, e çdo medium që nuk i pëlqente për kohën e fushatës elektorale”.

“Shkatërrimi i besueshmërisë së atij komisioni nga forca e kundërshtimit të opozitës, dyshimet e shoqërisë civile dhe vëzhgimi i ndërkombëtarëve dukej se ja dështoi planin fillestar. Ai komision e ka marr damkën ndaj duhej një formë tjetër për të arritur qëllimin e paracaktuar në kohën e shpejtë të fushatës. Koha erdhi, komisioni s’kishte avancuar, shfrytëzimi i vrasje ishte mundësia që pa Rama për të arritur vrasjen e paramenduar të lirisë së shprehjes në TikTok”, u shpreh Zhupa.

Zhupa theksoi se TikTok është një platformë që përdoret efektivisht nga aktivistët dhe nga opozita për të mobilizuar qytetarët, për të ndarë denoncime dhe për të nxitur transparencën.

“Sepse është një rrjet për të cilin qeveria ende nuk ka krijuar një model “ndryshimi” të shikueshmërisë sipas mekanizmave të saj, report, shadowban dhe “Aktivisti”. Të rinjtë, janë përdoruesit kryesor të TikTok dhe ata që mund të ndryshojnë rezultatin elektoral të zgjedhjeve të ardhshme, duke mos lejuar të “hanë sapunin për djath” nga lavazhi i trurit i propagandës në mediat tradicionale. Këto janë arsyet e vërteta që fsheh vrasja e paramenduar e TikTok, të cilën ne nuk mund ta lejojmë. Sot TikTok, nesër çdo hapësirë lirie dhe shprehje. Nuk e falim lirinë”, tha Zhupa.

/m.m/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryepeshkopi Janullatos uron Krishtlindjen: Qëndresë ndaj urrejtjes dhe dhunës
Artikulli tjetërRama: Situata në arsim sot si dita me natën krahasuar me 10 vite më parë