TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të diel një takim me drejtuesit e degës 9. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati foli për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa u shpreh se këto 3 vite kanë qen të vështira.
Berisha tha se “këto 3 vite, në një betejë të pashoqe, të pashembullt, kjo parti tregoi një vitalitet të jashtëzakonshëm. Dhe u them unë ju se, ky vitalitet buroi para së gjithash nga shpirti juaj i pamposhtur. Buroi nga kauza e drejtë që ju nuk e lëshuat kurrë”, shtoi Berisha.
Ish-kryeministri solli në vëmendje dhe protestat kundër kryebashkiakut Veliaj.
“Ndaluni për një moment, po marr vetëm një aspekt. Kur ju e nisët betejën kundër Erion Veliajt, me ato protestat të përjavshme, ku ishte dhe ku është sot Erion Veliaj, që futet si mi në selinë e partisë së tij nga turpi se mos po e kapin gazetarët, a mos po e kapin qytetarët.
Ja pra, ku e katandisët. Ai i grabiti zgjedhjet, por ju e keni shndërruar atë në një dordolec, e keni shndërruar atë në një pseudokryetar, e keni shndërruar atë në një njeri të diskredituar mbarë shqiptarëve . Vërtet ai vodhi votat, vërtet grabiti votat, por Belind Këlliçi dhe ju së bashku e bëtë atë që të flasë me vete, e bëtë atë që të turpërohet me çdo qytetar, e bëtë atë që të turpërohet edhe çdo socialist”, tha Berisha.
“Me gjithë mbrojtjen që i bënë Skapi i partisë, por nga ju nuk e mbrojti dot kurrë dhe s’e mbron dot kurrë. Faktikisht, e keni shndërruar në një kufomë politike të pakallur. Keni merita të jashtëzakonshme!”, shtoi Berisha.
Ai tha se mbrojtja e votës tashmë është realitet dhe për këtë demokratët duhet të jenë krenar.
“Ne deklaruam se do mbrojmë votën. Qindra herë, gazetarët na shtronin pyetjen: ku po e mbron votën? Si po e mbron votën? Po sot që, janë të gjitha forcat politike në botë të djathta, që në tre rezoluta deklarojnë se, zgjedhjet në Shqipëri janë farsë. Se qeveria e Edi Ramës në 12 vite ka zhvilluar farsë elektorale. Jini krenar, mbrojtëm votën e çdo shqiptari! E bëmë këtë! Ia dolëm!” – theksoi Berisha.
“Ata vodhën vërtetë në 12 vite, por edhe ne i damkosëm. Kjo është mbrojtja më civile, më qytetare e votës. Pa protestat tuaja, pa qëndresën tuaj, kurrë kjo nuk bëhej. Patëm një proces brenda partisë, në pamje të parë të thërrmuar copë-copë. Ja ku jemi sot. Pse? Sepse ne këtu shkruajtëm: për një PD më të fortë, më të hapur, më të bashkuar!” – shtoi Berisha.
Ish Kryeministri tha se “kaluam një kalvar, na morën flamurin, na fshinë nga listat. Ja ku jemi sot, me flamur, me seli dhe me kryetar. Menduan se do të na izolonin, dhe na izoluan. Vërsulën kundër nesh me qindra e qindra deklarata të paguara dhe të pa paguara. Po për ne, e vërteta mbetej ylli polar. Ne përsërisnim së bashku, çdo natë: kauza e drejtë nuk vdes kurrë!
Ne qëndronim së bashku për ato vlera që qëndron njeriu i lirë. Qëndronim se bashku që ju dhe askush tjetër duhet të përcaktojë drejtuesit e kësaj partie dhe të Shqipërisë.
Ne qëndronim së bashku për ato vlera që qëndron njeriu i lirë. Pra, ne mbrojtëm një tufë parimesh pa të cilat shoqëria e lirë nuk ekziston. Dhe ja ku jemi sot, kemi ata të cilët menduan se na izoluan. Ata të cilët menduan se na gozhduan. Ata sot, janë në gjyqin e turpit të historisë para shqiptarëve dhe para botës”, përfundon Berisha.























