Ballina Bota

GJERMANI – Scholz premton reagim dhe qëndresë ”kundër atyre që duan të mbjellin urrejtje”

MAGDEBURG, 21 dhjetor /ATSH-AFP-DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz premtoi sot “të veprojë kundër atyre që duan të mbjellin urrejtje”.

“Nuk ka vend më të qetë dhe më të gëzuar se një treg Krishtlindjesh”, tha Scholz në vendin e krimit.

”Është një akt i tmerrshëm të dëmtosh dhe vrasësh kaq shumë njerëz me një brutalitet të tillë në një vend të tillë”, shtoi ai.

Scholz i bëri thirrje vendit të “qëndrojmë së bashku”, pas sulmit vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, që çoi në arrestimin e një të dyshuari me origjinë saudite.

”Është e rëndësishme si vend të qëndrojmë së bashku, të veprojmë së bashku dhe të flasim me njëri-tjetrin”, deklaroi kancelari në skenën e tragjedisë.

”Nuk do të lëmë të kalojnë ata që duan të mbjellin urrejtje”, theksoi ai.

Numri i të vdekurve është rritur në pesë dhe më shumë se 200 u plagosën dje, kur një makinë u përplas me një turmë në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, tha kryeministri i landit, Reiner Haseloff.

Policia po vazhdon hetimet pas arrestimit të një të dyshuari, 50 vjeç, i cili ngiste një makinë me qira në mes të turmës në treg.

Paraditen e së shtunës, policia fillimisht u përgjigj me kujdes, kur u pyet nëse e konsideronte incidentin një sulm, duke deklaruar se ishin ende në proces hetimi.

I dyshuari mbetet në paraburgim policor dhe autoritetet supozojnë se ai ka vepruar i vetëm./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBUDAPEST – Orban pretendon se sulmet terroriste në Evropë lidhen me krizën e emigrantëve
Artikulli tjetërInstitucionet publike raportim të veprimtarive katër muaj para zgjedhjeve