Ballina Aktualitet

Hetimi për tenderat tek Ujësjellësi, shpallen të pafajshëm 3 punonjësit e UKT-së

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka mbyllur çështjen e abuzimit me tenderat në Ujësjellësin e Tiranës dhe ka shpallur të pafajshëm tre ish-zyrtarë.

Konkretisht, janë shpallur të pafajshëm Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, të cilët SPAK i akuzonte për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për një tender me vlerë rreth 143 milionë lekë për blerje kimikatesh dhe karbon aktiv për UKT.

I vetmi i dënuar për këtë çështje është biznesmeni Bledar Shemaj, i cili duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar do të jetë në provë për një periudhë kohe prej 8 (tetë) muajsh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kohës së provës të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.

NJOFTIMI:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e ҫështjes penale me Nr. 161 procedimi të vitit 2020, ndaj të pandehurve: Ledia Ramo, Ortjon Dhami, Engjëll Dedja, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal dhe Bledar Shemaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal dhe “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 78, datë 20.12.2024 vendosi:

Deklarimin e pafajshme të të pandehurës Ledia Ramo, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, ne referim të nenit 388, pika 1, shkronja b) të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ortjon Dhami, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, ne referim të nenit 388, pika 1, shkronja b) të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Engjëll Dedja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, ne referim të nenit 388, pika 1, shkronja b) të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

Pushimin e akuzës ndaj të pandehurit Bledar Shemaj, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 pg 1 i Kodit Penal, në zbatim të neneve 387 pg 1 dhe 328, pg 1, të K. Pr. Penale.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Shemaj, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186, i Kodit Penal.

Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Bledar Shemaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 (katër) burgim.

Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Bledar Shemaj për një periudhë kohe prej 8 (tetë) muajsh, me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kohës së provës të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.

Në bazë të nenit 190 të K. Pr. Penale, provat materiale të bashkuara me fashikullin mbeten pjesë e dosjes.

Në bazë të nenit 391 të K. Pr. Penale, dokumenti “Kontratë pune me datë 01.01.2019 me punëdhënës Shoqëria “W.Center” sh.p.k dhe punëmarrës shtetasi Q.B”, deklarohet i falsifikuar.

Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të neneve 393/1 dhe 285/1 të K. Pr. Penale, i ngarkohen të pandehurit të cilët deklaruar fajtor me këtë vendim.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zbatimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSuperliga, “Elbasani” thellon krizën te “Skënderbeu”
Artikulli tjetër“SPAK të arrijë kudo ku ka prova”, Kasanof: “Non gratat”, mjet për ndjekjen e çështjeve antikorrupsion