Ballina Ekonomi

Malaj: Qeveria pati vullnetin për të kthyer mbrapsht paratë e profesionistëve të lirë

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj foli sot në Kuvend për angazhimin e qeverisë për taksën e profesioneve të lira, pas shkresës që Ministria e Financave i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.

“Në lidhje me çështjen e taksës së profesioneve të lira, Ministria e Financave është shprehur që në krye të herës, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk shprehte atë se çfarë duhet të ndodhte me të ardhurat që ishin realizuar për sa kohë ligji ishte në fuqi. Në momentin që u mor vendimi i gjykatës dhe kërkoheshin sqarime, MF i dërgoi një shkresë Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur për efektet e këtij ligji. GJK përsëri nuk dha opinionin me këtë çështje, duke lënë të kuptohej se të ardhurat e realizuara nën efektin e këtij ligji ishin legjitimeve dhe pavarësisht kësaj qeveria shqiptare kishte vullnetin për t’i kthyer mbrapsht paratë e mbledhura nga profesionistët e lirë.

Çështja e nismës suaj, e depozituar në Parlament është një çështje parlamentare. Kam ardhur të flasë për aktin normativ, një nismë e qeverisë shqiptare. Gjumë jeni mësuar të flini ju sepse ju nuk bëni opozitën siç duhet ta bëni”, tha Malaj.

Pas fjalës së ministrit, foli deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se vonesa e ministrit u bë shkak për pengimin e axhendës së punëve në seancë. “Unë nuk do të përgjigjem për pjesën e gjumit, se e pa gjithë Shqipëria, erdhe në punë në orën 12.00 duhet të kishe ardhur në 8.00. Nuk ndjekim axhendën, sepse nuk të njeh askush se nuk bën asnjë punë, je aty se të ka rekomanduar krimi i organizuar, për të menaxhuar paratë e buxhetit të shtetit që pjesën dërrmuese t’ia çosh me PPP, krimit të organizuar, je aty si ushtar i Edi Ramës për të firmosur ato që të urdhëron ai”, tha Bardhi.

“Ajo që ne ngritëm ka të bëjë me rregulloren e Kuvendit. Je i detyruar që të jesh prezent, por ti nuk ke nga ta dish, sepse jeni ministra që vini nga rruga dhe propozoheni nga krimi i organizuar. E ke me Kushtetutë dhe rregullore të jesh aty…Sa orë fle gjumë, e çfarë ëndrrash shikon në gjumë nuk na takon neve. Herë tjetër paraqitu në orar”, u shpreh në fjalën e tij, Bardhi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBraçe: 78 milionë euro do mungojnë çdo vit në buxhet nga heqja e taksës për profesionet e lira
Artikulli tjetërManastirliu: Nis nga janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës