Ballina Aktualitet

Konventa e Hagës për Çështjet Civile ose Tregtare, Manja: Gur themeli për tregtinë ndërkombëtare

Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë/ Foto: Florian Abazaj
Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë/ Foto: Florian Abazaj

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se, Shqipëria në cilësinë e shtetit anëtar të Konferencës së Hagës për të drejtën ndërkombëtare private, aktualisht është palë në 16 konventa të kësaj konference.

Në fjalën e mbajtur sot në seancën plenare të Kuvendit, gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore të Huaja në Çështjet Civile ose Tregtare”, Manja vuri në dukje se, “Shqipëria ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e Konventës së Hagës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja në çështjet civile ose tregtare, të bërë në Hagë më 2019 që kanë kanë hyrë në fuqi më 1 shtator 2023”.

Sipas tij, kjo konventë së bashku me Konventën e Konferencës së Hagës “Për marrëveshjet për zgjedhjen e gjykatës” është një tjetër gur themeli për tregtinë ndërkombëtare që ndihmon në qarkullimin e vendimeve gjyqësore; përforcimi e rregullave fleksibël të njohjes së vendimeve; unifikimin e kuadrit rregullator të vendeve aderuese dhe ofron një drejtësi më të mirë, më efektive dhe më të lirë për individët dhe bizneset.

Manja tha se, adoptimi i kësaj konvente vjen tashmë jo vetëm si pasojë e vlerësimit të bërë nga Ministria e Drejtësisë, por edhe si pjesë e një qasje të lartë shtetërore për përshtatjen e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian.

“Mundësia e ekzekutimit të këtyre vendimeve gjyqësore edhe në shtete të huaja është thelbësore për të garantuar aksesin në drejtësi në mënyrë efektive. Ky ligj i bën shtetasit shqiptarë të ndihen si shtetasit e BE-së në vendin tonë, por edhe në çdo vend të BE-së. Kjo Konventë nuk zbatohet në rastin e arbitrazhit dhe procedimeve përkatëse”, tha Manja.

Ai tha se, ratifikimi i konventës, në kushtet kur ka një numër të konsiderueshëm shtetesh  anëtare, përfshirë dhe BE-në, përfitimet do të jenë të konsiderueshme duke garantuar unifikimin e kuadrit ligjor për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja, që është një garanci pozitive për investitorët e huaj në Shqipëri.

Manja tha se, neni 6 i Konventës, ka një vendim në lidhje me të drejtat reale mbi pasurinë e paluajtshme që do të njihet dhe zbatohet vetëm nëse prona ndodhet në shtetin e origjinës së vendimit.

“Kjo konventë trajton regjimin më të favorshëm, duke theksuar qëllimin e saj që është lehtësimi i njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve ndërkufitare”, tha ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAromë festash në Lushnjë, Rama ndan pamjet
Artikulli tjetërVota e Diasporës, Balla-opozitës: Votoni ndryshimet në kodin zgjedhor, mbulojmë dhe kostot e postës