Ballina Flash

I ndaluan vizitën në Preshevë, Çeku: Lojë e ndyrë e Serbisë

PRISHTINË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) Hajrulla Çeku ka akuzuar Beogradin zyrtar për lojë të ndyrë, pasi ky i fundit ndaloi një vizitë të planifikuar në Preshevë, vetëm një orë para kohës së planifikuar.

Çeku kishte planifikuar takime për sot me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani dhe organizatat rinore e kulturore.Qeveria e Serbisë refuzoi vizitën vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes siç parashihet me marrëveshjen e Brukselit.

“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë”, ka thënë ministri Çeku.“Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për t’u pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë”, ka shtuar ai në një postim në Facebook.

Përkundër kësaj, ministri Çeku thotë se Prishtina zyrtare do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pavarësisht se Serbia po dëshmon se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore.

/Kosovapress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Falja e gjobave”, Spaho: Karamele elektorale, u rrëzuan nga Kushtetuesja
Artikulli tjetërKurti takon delegacionin e bizneseve nga Izraeli, në fokus investimet e huaja