Ballina Ekonomi

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e subjekteve tregtare: Penalizim kush abuzon me çmimet

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/- Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin në terren për  çmimet e produkteve të shportës ushqimore gjatë periudhës së festave të fundvitit, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe penalizimin e atyre ndërmarrjeve tregtare të cilat abuzojnë me çmimet.

Në njoftimin për mediet, Autoriteti i Konkurrencës siguron qytetarët se do të identifikojë dhe ndëshkojë çdo fenomen të mundshëm të ngritjes artificiale të çmimeve që mund të shkaktohet nga praktikat jo të drejta të konkurrencës.

“Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Sjellim në vëmendje të rrjeteve të ndërmarrjeve tregtare se, shkelja e ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme”, deklaron Autoriteti i Konkurrencës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – “Financial Times” përzgjedh presidentin Trump si Personin e Vitit
Artikulli tjetërBegaj pret Sikorskin: Vazhdim i mbështetjes për integrimin në BE