Ballina Aktualitet

Vrasja e Martin Canit, sërish protestë qytetare para Ministrisë së Arsimit

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Qytetarë të shumtë protestuan sot duke kërkuar drejtësi për 14-vjeçarin Martin Cani, i cili u vra nga një bashkëmoshatar pranë shkollës “Fan Noli” një muaj më parë.

Fillimisht qytetarët u mblodhën në shkollën “Fan Noli”, ku ndezën qirinj në kujtim të tij ndërsa më pas me pankartën në duar “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.

Në protestë ndodheshin edhe prindërit e 14-vjeçarit Cani. Nëna e tij tregoi se Martini kishte ëndrra të mëdha. “Më thoshte ‘Do bëhem futbollist shumë i madh’. Martini nuk ishte ashtu sikur shkoi dhe u bë kjo histori. Nuk kam fjalë, kam vetëm lot nga 30 ditë që u bënë sot, vetëm qaj. Unë jam nëna e gjithë fëmijëve shqiptarë, Martini iku, por të mbrohen të gjithë Martinët e tjerë. Dua dorëheqjen e ministres me çdo kusht, drejtoria e shkollës, mësuesja kujdestare që nuk më tha asnjë fjalë. Thirrja ime është që kush ka faj të japë dorëheqjen që nga dera e shkollës deri në ministri”.

“Kërkoj drejtësi edhe për Luisin, i cili është djali im tashmë”, tha ajo e përlotur.

Edhe prindërit e tjerë të pranishëm në protestë kërkuan më shumë siguri në shkolla për fëmijët e tyre.

Kjo është e disata protestë e prindërve pas ngjarjes.

Në 18 nëntor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, një 14-vjeçar për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra një nga 14-vjeçarët, Martin Cani ka ndërruar jetë në spital.

/k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇelet gara ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, Balluku: Shqipëria, pjesë e korridoreve paneuropiane
Artikulli tjetërPL: Paketë masash për fëmijët dhe familjet për të luftuar shpopullimin