Ballina Aktualitet

Ndalohet 14-vjeçari në Vlorë, kishte fshehur një armë zjarri dhe 130 fishekë luftarakë

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidion Çela gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, u ndal edhe te një tjetër operacion policor, i koduar “Danger”.

Çela bëri me dije se gjatë dy javëve të fundit, dhjetëra prindër dhe pjesëtarë të stafeve pedagogjike të qarkut Vlorë kanë kontaktuar Policinë, duke ndarë shqetësime dhe informacione mbi aktivitetet dhe sigurinë e fëmijëve të tyre, kryesisht të moshave 12 deri në 18 vjeç. Këto informacione kanë qenë të vlefshme dhe kanë ndihmuar në orientimin e veprimeve parandaluese nga ana e Policisë.

“Një shembull konkret është rasti i një 14-vjeçari, ku, falë informacionit të siguruar dhe punës profesionale nga Policia e Vlorës, ditën e djeshme është bërë e mundur që, nëpërmjet një fotografie të gjetur në celularin e tij dhe pas një pune profesionale me psikolog, prind dhe punonjës social, të gjendej e fshehur në një motomjet pranë një banese një armë zjarri pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë, të cilat I kishte fshehur ky 14-vjeçar. Nga ana jonë vijon puna intensive për të identifikuar personin që ia ka dhënë armën këtij 14-vjeçari, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje”, tha drejtuesi i Policisë.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrezantohet platforma “Transparent Albania”, Pirdeni: Kryefjalë e transparencës buxhetore
Artikulli tjetër“Metro”: Pushime në Shqipëri, destinacioni parajsë i Mesdheut