VARSHAVË, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron bëri thirrje sot për bashkëpunim të ngushtë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – me kushte të pranueshme për Kievin.
Deklarata e Macron erdhi pas një takimi me kryeministrin polak, Donald Tusk, në Varshavë – ku diskutuan mbështetjen për Ukrainën përballë mandatit të dytë presidencial të Donald Trump në SHBA.
“Ne duhet të punojmë shumë ngushtë me amerikanët dhe sigurisht me Ukrainën për të gjetur një mënyrë që merr parasysh interesat e Ukrainës, sovranitetin e saj, si dhe interesat e evropianëve dhe sigurinë e tyre”, tha Macron.
Presidenti francez bëri thirrje për një paqe të negociuar nga ukrainasit – që u ofron atyre siguri të qëndrueshme.
Macron gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e koordinimit midis vendeve evropiane – kur bëhet fjalë për formulimin e garancive të sigurisë për Ukrainën – pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë. //a.i/























