PRISHTINE, 12 dhjetor/ATSH/ Prokurorja e Specializuar Kimberly West po viziton Kosovën për një numër takimesh.
Lajmi është bërë i ditur sot në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë detaje për takimet e ish-prokurores federale amerikane me përvojë të gjerë në hetimet penale vendase dhe ndërkombëtare, e cila në qershor 2023 u zgjodh prokurore speciale pas një procesi të organizuar nga BE.
Vizita e West në Kosovë vjen pasi gjykata në Hagë më 6 dhjetor konfirmoi aktakuzën e re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Komunës së Malishevës Isni Kilaj dhe Fadil Fazliut, për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Kimberly West është prokurorja e tretë e specializuar, duke pasuar Jack Smith, i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në nëntor 2022 dhe David Schwendiman, i cili shërbeu midis viteve 2016-2018. /KosovaPress/























