Ballina Aktualitet

Peleshi – opozitës: Nuk jemi njësoj, ne jemi për institucione, ju jeni për feude

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi u shpreh sot se shumica ka zgjedhur rrugën e vështirë me kosto afatshkurtër dhe përfitim afatgjatë që janë reformat institucionale dhe shtetbërëse, ndërsa opozita është për aksione partiake.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.57/2015”, Peleshi u shpreh se, “është bërë e zakonshëm që në këtë foltore pak ose aspak, ose shumë rrallë flitet për rendin e ditës për pikën që kemi në diskutim, në këtë rast një marrëveshje me Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim dhe kjo bëhet me qëllim”.

Peleshi theksoi se opozita ka dy qëllime.

“Qëllimi i parë është të hidhni tym dhe mjegull mbi mesazhet që sjell një projektligj apo një marrëveshje, natyrisht në dobi të qytetarëve, dhe mesazhi i dytë apo qëllimi i dytë është të na bëjë të dukemi të gjithë njëlloj”, tha Peleshi.

“Arsyeja sepse këtu është folur për shumëçka, por nuk është folur për marrëveshjen deri tani, të shohim më vonë, është sepse kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për shqiptarët për 1 mijë shqiptarë, raste neuro-vaskulare, të cilat çdo vit me statistikë ndodhin dhe që mund të trajtohen përmes vetëm njërës prej pajisjes që do të blihen falë kësaj marrëveshjeje me financimin e BERZH-it që është angiografi për QSUT-në. Kjo ul mortalitetin, siç është ulur 15% në 10 vitet e fundit”, tha Peleshi.

“Shumë mallra të tjera, pajisje dhe shërbime do të bëhen të mundura falë kësaj marrëveshjeje. Natyrisht që të flasësh për këtë nuk ke sesi ta fshehësh dhe pa dyshim duhet të flasësh për diçka tjetër që të mos dalë ky lajm”, tha Peleshi.

“Ky është një lajm shumë i mirë në vazhdën e lajmeve të projekteve, të investimeve që në vite janë bërë në shëndetësi dhe për të cilat ne krenohemi, nuk turpërohemi”, u shpreh Peleshi.

“Qëllimi i dytë është qëllimi që të na bëjë të gjithëve të dukemi njësoj. Por ne nuk jemi njësoj, sepse ndahemi në disa qëndrime të rëndësishme”, shtoi ai.

Së pari, shtoi Peleshi, “në raport me institucionet. Ne jemi për institucione, ju jeni për feude. Ne jemi për rrugën e vështirë me kosto afatshkurtër dhe përfitim afatgjatë që janë reformat institucionale dhe shtetbërëse, ndërsa ju jeni për aksione partiake, politike, për pozicionime me shtresa të cilat, për fat të keq, në afatshkurtër nga një reformë mund të preken. Nxitoni të apeloni dhe të mblidhni mbështetje mbi pakënaqësinë. Pra nuk keni kurrfarë vizioni dhe kurrfarë strategjie për të ndërtuar”, u shpreh Peleshi.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Kirgistani ndryshon himnin, aktualin e konsideron tepër sovjetik
Artikulli tjetërBerisha: Mazhoranca do të pësojë disfatën më të thellë më 11 maj