Ballina Aktualitet

Spiropali: Dy salla në Kuvend të marrin emrat e Bashkim Finos dhe Gert Bogdanit

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, propozoi emërtimin e dy sallave të Kuvendit me emrat Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani.

“Dëshiroj t’ju bëj me dije se kam vendosur që për të nderuar emrin dhe kontributin politik, shoqëror e parlamentar të dy personaliteteve të shquar, të ndarë nga jeta, dy sallave të mbledhjeve në mjediset e ndërtesës së sallës së seancave të Kuvendit, t’u vëmë njërës emrin Bashkim Fino dhe tjetrës emrin Gerti Bogdani”, u shpreh Spiropali.

Spiropali u shpreh se Bashkim Fino, ish-kryeministër i Shqipërisë, ish-ministër dhe deputet i Kuvendit për 6 legjislatura, u nda nga jeta në detyrë, si deputet i Kuvendit.

Ndërsa Gerti Bogdani, deputet i Kuvendit, për 2 legjislatura, u nda nga jeta në moshë të re.

“Besoj se kam mbështetjen tuaj dhe të deputetëve të Kuvendit”, u shpreh Spiropali gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.

/m.m/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMetani pret organizata të shoqërisë civile, në fokus rritja e performancës së ILD
Artikulli tjetërGJERMANI – Scholz i kërkon votëbesimin parlamentit dhe i hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme