Ballina Aktualitet

Mblidhet Komiteti i Përhershëm i SEECP, Shalsi: Avancim i integrimit rajonal

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Kuvendi organizoi sot takimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore me temë: “Bashkëpunimi Parlamentar për Rritjen e Ndërlidhjes Rajonale dhe Lehtësimin e Kufijve në Europën Juglindore”.

Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të marrjes nga Shqipëria të Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP PA).

Në këtë aktivitet morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, kryetari i Komitetit të Përhershëm të Parlamentit në AP të SEECP-së, Eduard Shalsi, Marko Radonaviç, këshilltar politik i RCC, si dhe delegacionet ndërkombëtare pjesë e SEECP.

Aktiviteti u moderua nga Eduard Shalsi, i cili në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e avancimit të integrimit rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta për të arritur zhvillim dhe prosperitet të qëndrueshëm.

Shalsi u shpreh se bashkëpunimi parlamentar është shtylla e ndërtimit të besimit, harmonizimit të politikave dhe përshpejtimit të zbatimit të iniciativave që sjellin vendet tona më afër me njëri-tjerin.

Shalsi u ndal dhe tek Strategjia SEE 2030, e cila kërkon veprim në Përparimin e Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe në promovimin e tranzicioneve të gjelbra dhe digjitale.

Në përfundim Shalsi u bëri thirrje vendeve anëtare të SEECP që ky takim të shihet me një ndjenjë përgjegjësie dhe angazhimi të përbashkët për realizimin e vizionit për një ndërlidhje më të fortë të Evropës Juglindore.

Takimi vijoi me diskutime dhe ndarje opinionesh dhe eksperiencash mbi bashkëpunimin parlamentar për nxitjen e konjuktivitetit dhe shkëmbimet ndërkufitare mes vendeve të Evropës Juglindore.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTentuan të fusnin 21 000 franga zvicerane të padeklaruara në Shqipëri, nën hetim dy persona
Artikulli tjetërLeku humbet terren, forcohet dollari dhe paundi britanik