Ballina Bota

SIRI – Rebelët e mbështetur nga Turqia marrin qytetin verior të Manbixhit

DAMASK, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Rebelët e mbështetur nga Turqia morën qytetin verior të Sirisë, Manbixh nga milicitë kurde, pas luftimeve të ashpra.

Ndryshimi i pushtetit nënvizon se si rënia e papritur e regjimit të Bashar al-Assad në Damask ka pasoja në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta, ku fraksione të ndryshme mbajnë pushtetin me ndihmën e mbështetësve të jashtëm.

”Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) e mbështetur nga Turqia ka marrë kontrollin e Manbixhit”, sipas Rami Abdel Rahman, kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Banorët brenda qytetit të Manbixhit deklaruan se rebelët tani kontrollojnë qytetin, i cili është 80 kilometra në lindje të Alepos.

Rebelët arritën të pushtonin qytetin pas dy javësh luftime me Këshillin Ushtarak të Manbixhit, të lidhur me Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët.

Turqia e konsideron milicinë e SDF-së një degë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe për këtë arsye një organizatë terroriste.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan theksoi se nuk do të tolerojë praninë e “terroristëve” në kufirin me Turqinë./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFIRENCE – Arrin në katër numri i viktimave pas shpërthimit në një rafineri gazi
Artikulli tjetërJaka: Të shpejtohen proceset e shqyrtimit të sipërmarrjes private në Gjykatën Administrative