Ballina Ekonomi

Jaka: Të shpejtohen proceset e shqyrtimit të sipërmarrjes private në Gjykatën Administrative

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka mori pjesë sot në tryezën publike me temë: “Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në sektorët me risk të lartë në qeverisjen qendrore dhe vendore”.

Në fjalën e tij Jakaj vuri theksin tek marrja në trajtim të problematikave që kanë sot proceset e shqyrtimit në Gjykatën Administrative.

“Ka procedura të sipërmarrjes private dhe të qytetarëve sepse çështjet e Gjykatës Administrative i krijon administrata publike në 90 % të rasteve. Sot kemi çështje që mund të presin me 3 apo 5 vite të pashqyrtuara nga një shkallë apo një shkallë tjetër. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se kur filloi iniciativa për Gjykatën Administrative objektivi ishte që të kishte një afat minimal në shqyrtimin e çështjeve”, nënvizoi Jakaj.

Jakaj theksoi se “nga ana tjetër duhet të bëjmë një analizë duke qenë administrata publike prodhuese e gjithë këtyre çështjeve në Gjykatën Administrative dhe nga ana tjetër Agjencia e Monitorimit të akteve të administratës publike mungon në shumicën e rasteve kur çështjet fitohen nga Gjykata Administrative nga palët që janë kundërshtarë me administratën nuk ka asnjë masë, asnjë lloj reagimi për atë që ka krijuar gjithë këtë maratonë të zgjidhjes së problematikës në 7-8 vite që ka një kosto të jashtëzakonshme për sipërmarrjen, por ka edhe një kosto për administratën publike dhe buxhetin e shtetit”.

Ne, vijoi ai,  duhet të inkurajojmë administratën publike të jetë në nivelin e duhur të integritetit për të marrë vendime sepse edhe mosveprimi është një problem tjetër.

“Shumë shpejt sipërmarrja do reagojë për mosveprim të administratës publike duke e trajtuar si vepër penale. Ne duhet të inkurajojmë administratën publike dhe mbetet për t’u trajtuar roli i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Në të gjithë komunikimet që ne kemi me institucionet qendrore është që s’na lë KLSH. Kush është KLSH , administrata duhet të respektoje dhe zbatojë ligjin , KLSH është një organ që jep opinionet e veta, por në asnjë rast nuk mund të jetë ekzekutiv dhe KLSH përballet në gjykatë me administratën nga njëra anë dhe palën e dëmtuar nga ana tjetër”, tha Jakaj.

Jakaj theksoi se “në rast se KLSH i ka rastet e fituara në gjykatë atëherë duhet të merren si precedencë , por jo KLSH të jetë e vetmja shprehje që sot thuhet nga administrata publike kudo”.

/k.s/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSIRI – Rebelët e mbështetur nga Turqia marrin qytetin verior të Manbixhit
Artikulli tjetërBE: Koha për të ngritur zërin kundër urrejtjes, dezinformimit dhe çdo veprimi që kërcënon dinjitetin e individit