Ballina Flash

8 Dhjetori, Spiropali: Lëmë pas fantazmat e komunizmit dhe minuesit e bashkëjetesës

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dha sot një mesazh me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë.

“8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si një faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale”, u shpreh Spiropali.

“Ajo thirrje e brendshme që buçiste së jashtmi, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”, ishte më e fortë se çdo parrullë, kongres, antimiting, ishte, mbi të gjitha, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë përdhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar”, theksoi Kryeparlamentarja.

Sot, vijoi Spiropali, “ecim më shpejt dhe jemi më pranë se kurrë Shqipërisë së ëndërrimtarëve dhe luftëtarëve të dhjetorit, në një proces intensiv negociatash, me objektivin e qartë Shqipëria në BE brenda vitit 2030”.

“Ecim drejt kësaj ëndrre, tashmë një realitet i prekshëm, duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe shëmbëlltyrat e këqija të tyre, idhujt e rremë të tranzicionit, bartësit e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, minuesit e bashkëjetesës, të bashkuar në aspiratën tonë madhore!”, përfundoi mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj, medalje mirënjohjeje për kampionët e boksit, Esmeralda Novruzaj dhe Alban Beqiri
Artikulli tjetërBerisha marshim me të rinjtë e FRPD-së: Protestë për fatin e lirisë