TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, me ftesë të Komisionit të Venecias, mori pjesë sot në sesionin plenar të 141-të të këtij Komisioni.
Spiropali shprehu mirënjohjen për të gjithë anëtarët e këtij forumi prestigjioz, personalitete të shquar të së drejtës, të njohur botërisht, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe konstruktiv me Kuvendin e Shqipërisë.
Ajo vlerësoi veçanërisht “dhënien e opinioneve në mbrojtje të Kushtetutës, për fuqizimin e institucioneve dhe konsolidimin e vlerave demokratike”.
Në seancën e sotme plenare Komisioni i Venecias shqyrton kërkesën e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë.
Kuvendi i Shqipërisë më 12 shtator nuk arriti të mbledhë votat e nevojshme për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu drejtua me një kërkesë Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie, nëpërmjet së cilës kërkohet opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
/m.m/j.p/






















