VALETA, 5 dhjetor /ATSH-AFP/- Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiga e quajti Sergei Lavrov një “kriminel lufte” – ndërsa ai merrte pjesë në një samit ndërkombëtar në Maltë – vizita e parë e kryediplomatit rus në një vend anëtar të BE-së – që nga pushtimi i plotë Rusisë në vitin 2022.
“Moska është kërcënimi më i madh për sigurinë tonë të përbashkët”, tha Sybiga ndërsa dy ministrat e Jashtëm u ulën në të njëjtën tryezë të madhe në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ishte gjithashtu në Valeta, për bisedimet, megjithëse zyrtarët thanë se ai nuk kishte plane të takonte Lavrov.
“Rusia nuk është një partner; është kërcënimi më i madh për sigurinë tonë të përbashkët. Pjesëmarrja e Rusisë në OSBE është një kërcënim për bashkëpunimin në Evropë,” u tha Sybiga ministrave të organizatës prej 57-anëtarësh.
“Kur rusët thonë se duan paqe, gënjejnë. Ukraina vazhdon të luftojë për të drejtën e saj për të ekzistuar”, theksoi ai.
“Dhe krimineli rus i luftës në këtë tryezë duhet të dijë: Ukraina do ta fitojë këtë të drejtë dhe drejtësia do të mbizotërojë”, tha Sybiga. //a.i/























