TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara është riafirmuar edhe një herë, mbështetja për më shumë se 160 mijë qytetarë dhe familjet e tyre.
Ministrja deklaroi se me buxhetin rekord të vitit të ardhshëm, do të marrin mbështetje 55 mijë persona me aftësi ndryshe, 5600 tetra e paraplegjikë dhe 70 mijë invalidë pune.
“Përmes buxhetit të 2025-ës, garantohet edhe rritja e mbështetjes për paketën higjieno-sanitare në 20 mijë lekë në muaj, indeksimin e pagesave për invalidët e punës, me një fond prej 3 miliardë lekësh, zgjerimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore në 400 qendra shëndetësore dhe implementimin e figurave të reja profesionale, si Ndihmësit Personalë dhe Operatorët Social-Shëndetësorë”, tha Koçiu. Ministrja u shpreh se me këtë mbështetje, “po ndërtohet një model që e vendos qytetarin në qendër të kujdesit, për një shoqëri më dinjitoze dhe gjithëpërfshirëse”.
Ministrja foli edhe dje, pas mbledhjes së qeverisë, për një nga vendimet më të rëndësishme për shëndetësinë në vend.
“Në vazhdën e mbështetjes dhe solidaritetit, me të gjitha shtresat në nevojë për të cilat duhet mbështetje sociale, shëndetësore dhe financiare, qeveria ka vendosur që të rrisë masën e mbulimit financiar për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjike. Një vendim i rëndësishëm për këtë target-grup që është pjesë e Këshillit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuar, me të cilët patëm një diskutim të vyer për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre”, tha ajo.
Ministrja Koçiu deklaroi se në vazhdën e kërkesave për më shumë mbështetje ndaj kësaj shtrese të shoqërisë, është edhe prania e figurave të reja, profesionale që asistojnë këto target-grupe në të përditshmen e tyre.
“Janë plot 18 mijë kujdestarë personalë për të cilët MSHMS është duke punuar për të lançuar figurat e reja profesionale. Ata, përveç aftësimit e trajnimit, do duhet të marrin një mbështetje nga ana financiare, me pagë dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për t’i mbështetur dhe kujdestarët personalë të personave me aftësi të kufizuar me një profesion të vërtetë”.
/a.f/r.e/






















