Ballina Ekonomi

Rama: Hapet traseja e rrugës nga pika kufitare me Malin e Zi deri në Zogaj

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Në kantierin e punës në rrugën Shirokë – Zogaj, po punohet me ritme të shpejta, ku aktualisht është hapur traseja e rrugës nga pika kufitare me Malin e Zi deri në Zogaj.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili ndau pamje nga punimet në këtë aks.

Rama theksoi se, pjesa e fundit e rrugës Shirokë-Zogaj, pikë e re kufitare me Malin e Zi kalon mbi fshatin Zogaj, por hapet praktikisht si rrugë e re mbi një shteg ekzistues.

Ndërkohë, shton Rama, i gjithë segmenti nga Shiroka në vazhdim do të ketë edhe trotuar dhe korsi biçikletash.

Ky projekt po zbatohet nga kompania ALB Star, e cila fitoi kontratën 4.7 milionë euro, teksa parashikohet që punimet të përfundojnë me 2 tetor 2025.

Rruga Shirokë-Zogaj-Pika e re kufitare me Malin e Zi (Krajë) është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës. Kjo rrugë pritet të rrisë turizmin në zonë, përveç ndikimit për akses më të mirë në infrastrukturë të komuniteteve lokale. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinisteriali i Mbrojtjes SHBA – Karta e Adriatikut në Tiranë, Vengu: Dënojmë sulmin në veri të Kosovës
Artikulli tjetërKurti takon O’Brienin, bisedojnë për sulmin në Ibër-Lepenc