TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u pyet nga gazetarët pas mbledhjes së sotme të qeverisë, në lidhje me mbështetjen me barna ndaj personave të prekur nga sëmundjet tumorale.
“Barnat tumorale janë një element i rëndësishëm për mbështetjen e personave që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Qendra Spitalore “Nënë Tereza” ka marrë gjithë mbështetjen e nevojshme dhe gjithë procedurën për ta pajisur spitalin me barnat esenciale, sidomos barnat citostatike, që janë shumë të rëndësishme për trajtimin e personave që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Furnizimi me barna dhe medikamente është një nga proceset më komplekse të administratës, por ne jemi të angazhuar për të furnizuar në mënyrë automatike dhe periodike të gjithë qytetarët që vijnë dhe trajtohen në QSNUT. Lista e barnave të rimbursueshme ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2024 duke i dhënë mundësinë qytetarëve që preken nga këto sëmundje që të marrin këto barna për trajtimin e sëmundjes. Aktualisht që flasim janë nënshkruar marrëveshjet kuadër për furnizimin periodik me barna të qendrave tona spitalore dhe nuk presim të kemi mungesa të këtyre medikamenteve”, u shpreh Koçiu.
Ministrja u pyet edhe për rrëzimin e një prej amendamenteve të opozitës, që propozonte një minimum jetik prej 200 euro. Koçiu e argumentoi vendimin me faktin se nëse do të vazhdohet të ketë mbështetje financiare për një familje të varfër, kështu ndikohet në ciklin e varfërisë.
“E rrëzuam, sepse në gjykimin tonë nuk ishte i vlerësuar siç duhet. Ne duhet të kemi një dakordësi të përbashkët lidhur me metodologjinë e matjes së minimumit jetik, për të vlerësuar se si matet ky minimum, në familje që kanë nevojë për mbështetje. Sot mbështesim faktin se të gjithë ata persona që janë të varfër dhe kanë nevojë për mbështetje, duhet të aftësohen për t’u integruar në tregun e punës. Ne na intereson që njerëzit që janë forcë aktive pune të integrohen në tregun e punës, për të thyer ciklin e varfërisë. Nëse do japim mbështetje vetëm se një familje është e varfër apo nuk përballon dot kushtet minimale të jetës, ne thjesht prodhojmë ciklin e varfërisë”, tha ajo.
/j.p/r.e/























