Ballina Flash

Shqipëria e vajzave fiton miqësoren ndaj Rumanisë

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Shqipëria e vajzave fitoi me rezultatin 1-2 ndeshjen miqësore ndaj Rumanisë. Golat e realizuar nga Valentina Troka dhe Megi Doçi vendosën takimin e zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Eugen Popescu” në Rumani.

Formacioni titullar i ndeshjes ishte ky: Rexhepi (GK), Doçi (c), Elezaj, Franja, Curraj, Krasniqi, Troka, Dedaj, Hila, Berisha, Tukaj.

Kuqezezat e drejtuara nga trajneri Armir Grima dominuan ndeshjen që në minutat e para dhe goli erdhi shumë shpejt. Ishte sulmuesja Valentina Troka ajo e cila kaloi në avantazh skuadrën që në minutën e 9-të. Rumania barazoi rezultatin me Cristina Carp në minutën e 43-të dhe pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-1.

Fraksioni i dytë nis ndryshe, me vajzat kuqezi që futen në fushën e lojës për të shënuar golin e epërsisë dhe për të fituar ndeshjen. Trajneri Grima bën disa zëvendësime, duke hedhur në fushë lojtaret Florentina Kuqi, Rreze Gashi, Mikaela Metalla dhe Kristina Hoxhaj.

Goli i fitores erdhi në shtesë, në minutën e 93-të dhe u realizua nga kapitenia Megi Doçi.

Me fitoren 1-2 u mbyll kjo ndeshje miqësore si edhe grumbullimi 8-ditor iKombëtares së vajzave. Ky grumbullim i shërbeu stafit kuqezi të shohë gjendjen fizike të vajzave si edhe të testojë lojtaret e afruara në skuadër.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBardhi: Buxheti 2025, thellim i varfërisë për qytetarët shqiptarë
Artikulli tjetërBislimi: BE të reagojë, Serbia po diskriminon shqiptarët në Luginën Preshevës