Ballina Aktualitet

Balla pret ish-kryeministrin grek Papandreu, në fokus dialogu politik dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla priti ish-kryeministrin grek Jorgos Papandreu, i cili ndodhet në Tiranë në cilësinë e delegatit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Monitorimit, lidhur me prioritetet e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Si ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, Papandreu sot deputet në parlamentin grek, mbahet mend për politika proshqiptare.

“Gjithmonë kënaqësi të takohem me një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Greqi si ish-kryeministri, Jorgo Papandreu”, deklaroi ministri Balla.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke vënë theksin te rëndësia e dialogut politik, bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore.

Ministri vlerësoi rolin e z. Papandreu si një zë i fuqishëm për integrimin evropian dhe stabilitetin në Ballkan, duke theksuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj një vizioni të përbashkët për një rajon më të bashkuar dhe të zhvilluar bazuar në raportet e fqinjësisë së mirë.

Ky takim nënvizoi edhe një herë rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe kontributin e tyre për stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSkema e re e Granteve 2025 për startup-et, Ibrahimaj: Fond prej 300 milionë lekësh
Artikulli tjetërFRANCË – Qeveria përballet me mocion mosbesimi