Ballina Flash

Vuçiç: Po hetojmë ngjarjen në Zubim Potok, tentativë për sulm hibrid ndaj Serbisë

PRISHTINË, 1 dhjetor/ATSH/  Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka komentuar sulmin terroristë në Zubim Potok, duke thënë se kanë dyshimet e tyre për organizimin e këtij sulmi dhe se hetimet do të tregojnë se kush e ka dhënë urdhrin.

Vuçiç në një konferencë për media tha se dje ka pasur tentativë për një sulm të ashpër hibrid ndaj Serbisë.

Ai përkundër faktit që aksioni i Policisë arrestoi 8 persona dhe konfiskoi një numër të madh armësh, tha se nuk ka arrit të dëgjon shumë fakte.

“Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj vendit tonë. Duke qenë se kemi ndjekur me kujdes gjithçka që është njoftuar nga zyrtarët e Prishtinës dhe sponsorët e tyre ndërkombëtarë, si dhe mediat e tyre, nuk kemi mundur të dëgjojmë shumë fakte.

Askush nuk do të krijonte një strukturë të tillë. Dhe ne si vend serioz nuk u morëm me akuza. Nuk thamë, as sot nuk them drejtpërdrejt urdhëroi Kurti. Kemi dyshime të caktuara, hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar.

Mendojmë se kemi disa informacione se kush mund të jetë autori”, tha ai.

Ai u ankua për aksionin e Policisë së Kosovës, duke thënë se ishte një shfaqje, pasi sipas tij, kështu nuk bëhet një hetim serioz.

Përndryshe, një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi.

Kjo u bë pasi gjatë ditëve të fundit pati disa incidente. Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar thuhet se janë prapa këtij shpërthimi në veri të vendit. Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Dëmi u konsiderua serioz dhe u shkaktuan ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën Energjetike të Kosovës.“Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Nga Prishtina, në një konferencë urgjente, kryeministri Albin Kurti tha se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar.

Natën e së premtes uji ishte ndërprerë për termocentralet dhe disa komuna. Megjithatë, me ndërhyrjen të shpejtë në riparimin e dëmeve, është arritur që termocentralet të furnizohen me ujë. /Kosovapress/

/a.f/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVengu: Forcat e Armatosura vazhdojnë të thyejnë barriera
Artikulli tjetërSot, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS