Ballina Aktualitet

Vishet kuqezi qendra e dislokueshme e Komandim-Kontrollit Ajror në Itali

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Qendra e Dislokueshme e Komandim-Kontrollit Ajror (DACCC) në Poggio Renatico në Itali u vesh kuqezi, për një ditë.

Ky ishte një moment krenarie për Shqipërinë, që në këtë ceremoni, me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, u përfaqësua nga Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola.

Në fjalën e tij Tola, vlerësoi rolin dhe rëndësinë e veçantë të kësaj njësie të NATO-s si një qendër ekselence për komandim-kontrollin e AIRCOM, duke theksuar edhe mundësitë e bashkëpunimit mes vendeve aleate.

Gjatë vizitës në sallën operacionale të DACCC, zëvendësministri komunikoi me efektivët e Qendrës së Komandim-Kontrollit CRC, Rinas, të Forcës Ajrore, të cilëve u shprehu vlerësimin për realizimin e misionit në bashkëpunim me këtë njësi të NATO-s.

Komandanti i DACCC, gjeneralmajor Luca Maineri theksoi rëndësinë e kësaj dite të shënuar për kombin shqiptar, ndërsa veçoi rolin e veçantë që vendi ynë ka në këtë njësi.

Në DACCC marrin pjesë gjashtëmbëdhjetë vende të NATO-s, që kontribuojnë me 295 efektivë, mes të cilëve edhe nënkoloneli i Forcës Ajrore, Eduart Pllaha, pjesë e Drejtorisë së Zbulimit pranë Qendrës së Operacioneve Ajrore të Dislokueshme (DAOC). /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBE dhe GIZ mbështetje administratës doganore për integrimin ekonomik rajonal
Artikulli tjetërAksion kundër krimeve kibernetike në Kosovë, 20 të arrestuar e 120 mijë euro të sekuestruara