TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Shtëpia Muze e atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posio, qëndistare e flamurit të Pavarësisë, ka potencialin ta kthejë Hoçishtin në një destinacion për turizmin kulturor.
Kështu u shpreh sot prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili i dorëzoi vendimin e legalizimit të shtëpisë, Violeta Pojanit, familjare e Marigo Posios.
Violeta kujdeset për shtëpinë në Hoçisht të Devollit, ku Marigoja jetoi për disa vite, ndërsa tani është kthyer në një mjedis muzeal për të rrëfyer historinë.
“Sot në prag të Festës së Pavarësisë, bashkë me nënprefektin Henrik Rusi dhe Drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Korçë Stavri Mushka e stafin e tij, ishim në Hoçisht të bashkisë Devoll, për t’i dorëzuar pas aplikimit vendimin e legalizimit të shtëpisë Violeta Pojanit, familjare e qëndistares së flamurit të Pavarësisë, Marigo Posio”, bëri të ditur Jole.
Për prefektin Jole, shtëpia Muze e atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posio ka potencialin ta kthejë Hoçishtin në një destinacion për turizmin kulturor, sidomos për brezat e rinj, që edhe ata të edukohen me frymën atdhetare dhe historinë tonë kombëtare.
“Procesi i legalizimeve në qarkun tonë po ecën me ritme të mira dhe Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore po bashkëpunojnë me ASHK-në që procesi të ketë ritmin që realizon objektivin. Kontributi i qytetarëve mbetet ndihmë e rëndësishme në këtë proces”, shtoi Jole.
/m.m/j.p/























