ROME, 26 nëntor /ATSH-DPA/- Pas më shumë se një viti lufte, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock beson se armëpushimi midis Izraelit dhe milicisë së Hezbollahut në Liban është “afër”.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të G7 në Itali, Baerbock foli për progresin drejt një zgjidhjeje politike – falë ndërmjetësimit të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës.
Qeveria gjermane ka punuar intensivisht për arritjen e një armëpushimi me diplomaci të koordinuar ngushtë.
“Ne jemi në një moment kritik tani – ndoshta një moment që gjithashtu na jep shpresë”, tha Baerbock në takimin, i cili u mbajt në qytetin e vogël, Fiuggi në Italinë qendrore.
“Megjithatë, nuk duhet të mbështetemi vetëm te shpresa. Koordinimi i ngushtë është veçanërisht i rëndësishëm – midis vendeve të industrializuara demokratike të Grupit të Shtatë (G7) dhe vendeve arabe”, tha Baerbock.
“Të dorëzohemi, pavarësisht pengesave, thjesht nuk është një opsion”, shtoi ajo. //a.i/























