TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Londra, ku ndodhet në takimin e radhës me shqiptarët e diasporës, risolli në vëmendje ngjarjen tragjike të vrasjes së nxënësit 14-vjeçar të shkollës “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar i tij. Rama tha se roli i medias dhe politikës nuk duhet të jetë çoroditës në raste të tilla fatkeqësish, por një bashkim për të gjetur zgjidhje për të mirën për shoqërinë dhe vendin.
“Më lejoni të bëj një parantezë: Çdo vrasje është një fatkeqësi, kur ndodh që merret një jetë e re, fatkeqësia është e madhe jo vetëm për familjen e atij që humbet jetën, por edhe për gjithë shoqërinë. Por, kur tragjedia e një vrasjeje e prek sot vendin tonë, shumë më rrallë se deri dje, del në pah edhe për një arsye tjetër nevoja që Shqipëria ka për ju dhe votën e lirë. Një fëmijë vritet tragjikishit nga një fëmijë tjetër, por në vend që të ketë respekt, vetëpërmbajtje në nderim të viktimës dhe familjarëve, reflektim të përbashkët dhe angazhim të të gjithëve në kërkim të më të mirës, siç ndodh në Amerikë, ku plumbat e armëve e masakrave nëpër shkolla, apo këtu në Britani, kur krimi prek një jetë të pafajshme, në Shqipëri fryhen me një ngut kriminal kanalet e ujërave të zeza të politikës dhe medias, askush s’pyet më për dhimbjen e familjes, të afërmve, as për nevojën e komunitetit, askush nuk pyet për të kuptuar së bashku cili është roli i gjithësecilit në rrugën më tutje, po kush të mundet ta tërheqë opinionin publik në ato kanalet për të nxitur urrejtje, ushqyer dasi, shqetësimin e së vërtetës dhe gjithfarë gënjeshtrash dhe duke tjerrë me ditë e me net lloj-lloj llafesh e teorish, sajuar deri protesta kundër qeverisë, duke e kthyer viktimën në mish për topat e politikës dhe medias”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se siguria në Shqipëri është një nga elementët kryesorë që i shtyn miliona turistë të vizitojnë vendin tonë në çdo periudhë të vitit.
“Ku bën vaki, ju jetoni këtu, ju ndiqni këtu jetën e përditshme të një vendi kaq të madh, kaq të pasur, me kaq shumë gjëra për të admiruar, por edhe me plot probleme, ku bën vaki, që pa u varrosur akoma viktima e pafajshme të dalin të gjithë djajtë nga shishet dhe t’ia marrin valles së luftës për pushtet, të dasive dhe duke shkelmuar trurin e njerëzve të lënduar me plot të drejt prej fakeqësisë?! Shifrat e vrasjeve në Shqipëri bien, sa më shumë rritet siguria, jo më kot miliona turistë të huaj që vijnë, tri gjëra përsërisin: shqiptarët dhe mikritjen e tyre, ushqimin dhe sigurinë. Ju e dini më mirë se kushdo që e shikon Britaninë e Madhe nga larg, se çdo të thotë të çosh fëmijën aty ku është një lagje e pasur, apo ta çosh fëmijën në një shkollë ku nuk është një lagje dhe aq e pasur. Kudo ka probleme, sfida, përpjekje, por në Shqipëri çdo hap përpara, çdo afrim me Evropën përpiqet të zhbëhet me patjetërsinë e mllefit. Sa më shumë luftohet korrupsioni, aq më shumë hienat e luftës për pushtet i bien daulleve të veshëve të shqiptarëve me sharjet dhe shpifjet, duke nxitur dhunë nga mëngjesi deri në darkë dhe duke u bërë shembulli më i keq për rininë, për fëmijët”.
Kryeministri Rama theksoi sërish nga Londra faktin se Parlamenti në Shqipëri është kthyer në një arenë nxitëse të dhunës dhe konfliktit, kur në fakt nuk duhet të jetë kështu.
“Ku ka, në cilin vend apo film, vatër më çedukuese apo dhunënxitëse se vetë Parlamenti, ku deputetët shajnë me libër shtëpie orë e çast, gjuajnë me shishe, djegin karrige dhe pastaj mezi presin që të marrin zvarrë një viktimë për ta përdorur për luftën për pushtet. Ju e dini se vrasjet apo edhe ekspozimi i fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj të këqijave të botës së sotme, por aq edhe përmbytjet e qyteteve apo zjarret masive nuk ndezin epshet e politikës për ditë e javë të tëra. Sado dramatike të jenë këto evente, nuk çoroditet dhe toroliset i gjithë populli kanal më kanal dhe portal më portal, dhe nuk maskohen protesta partish si revolta qytetare, bashkë me gjithë arsenalin e fantazive, shpifjeve dhe sharjeve, kundër njerëzve dhe gjithë institucioneve të shtetit. Prandaj, pjesëmarrja juaj, e gjithë shqiptarëve të Evropës, përmes votës në zgjedhjet e ardhshme ka rëndësi themelore, sepse pavarësisht statusit social, nëse dikush është profesor apo punëtor krahu, ju të gjithë keni një horizont mbi jetën, botën, vështirësitë dhe suksesin. Një horizont që është një garanci dhe vlerë e shtuar mbi gjykimin e popullit për alternativat udhëheqëse në Shqipëri”. /j.p/























