PRISHTINE, 21 nëntor/ATSH/ Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ndarjet buxhetore për 2025, i cili kap shifrën 3.6 miliardë euro.
Pro buxhetit votuan 61 deputetë nga mazhoranca, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në sallë. Deputetët shqyrtuan edhe amendamentet për buxhetin, ku 122 kërkesa ishin nga opozita, por nuk morën mbështetjen e pushtetit.
Paraprakisht, kryetari i Komisionit për buxhet, deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se asnjëri nga deputetët opozitarë nuk ka ardhur në komision për t’i argumentuar amendamentet e tyre, të cilat sipas tij kishin vlerë 320 milionë euro.
Gjatë seancës së sotme, partitë opozitare e kanë quajtur “të kontaminuar” buxhetin, madje e kualifikuan si joligjor dhe antikushtetues.
/Kosovapress/























