TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Zv/ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani shpjegoi sot gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se grupi i punës për hartimin e skemës së re po diskuton edhe pensionin social, ku është propozuar lidhja e përfitimit me vitet e kontributeve.
“Skema e sigurimeve shoqërore u kthye në një skemë me mbulim universal. Në këtë kontekst është dhënë pension social si e drejtë për ta përfituar në moshën 70 vjeç. Nëse një pensionist nuk ka përmbushur vitet minimale të përfitimit të pensionit që janë 15 vite, për çdo lloj viti kontributiv nga 0 në 15, përfiton pensionin social”, u shpreh Manjani.
Sipas saj, sugjerimi në këtë kontekst është lidhja e përfitimit të pensionit social me masën e viteve të kontributeve.
“Kush ka kontribuar më shumë ta përfitojë në një masë më të madhe dhe në një moshë më të hershme dhe kush ka kontribuar më pak ta përfitojë në një moshë mbi 70 vjeç dhe në një masë më të ulët. Ky është një element tjetër që po konsiderohet”, tha ajo.
Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës, ajo hodhi poshtë mundësinë e uljes së viteve të punës për të përfituar pension, pasi sipas saj kjo do të deformonte edhe më tepër skemën. /j.p/






















