Ballina Aktualitet

Peleshi: Buxheti 2025 garanton rritje ekonomike të sigurt dhe të pakthyeshme

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi foli sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë për buxhetin 2025 dhe rritjen ekonomike që garanton ky buxhet. Ndërkohë, deputeti i PS-së, falënderoi edhe deputetët e opozitës për bashkëpunimin në diskutimet e këtyre ditëve për buxhetin.

“Dua të falënderoj opozitën që ju bashkua debatit parlamentar për buxhetin. S’kemi rrugë tjetër përveçse të bashkëjetojmë në rrugën e debatit politik, secili sipas kulturës dhe stilit të vet politik. Rrugët e bojkotit kanë treguar se nuk na çojë gjëkundi, përveçse mund të ngadalësojnë rrugën tonë të përbashkët, por pa ndonjë dobi elektorale apo politike. Të paktën këtë na ka mësuar historia jonë e shkurtër së bashku”, – tha Peleshi.

Deputeti i Partisë Socialiste, u ndal edhe te buxheti 2025 dhe gjithë sfidat që e presin vendin përpara anëtarësimit të plotë në familjen e madhe evropiane.

“Shqipëria 2025 do të jetë një Shqipëri tjetër! Nuk do të jetë si Shqipëria 2030, as si ajo 2013, por është një Shqipëri më afër se kurrë me ëndrrën evropiane. Sot, Shqipëria anëtare e BE nuk është më një vegim, një dëshirë historike, por një plan pune, me detyra për institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Ky kalendar, projekton Shqipërinë 2030, gati për anëtarësim. Nuk do të ketë vetëm një plan ku janë angazhuar qindra shqiptarë, por do të ketë më shumë burime financiare. Buxheti 2025 do të injektojë në ekonominë shqiptare, mbi 8.2 miliardë euro, nga të cilat mbi 1.6 miliardë euro do të jenë investime të drejtpërdrejta”, – vuri në dukje Peleshi.

“Kjo është bërë e mundur falë rritjes së të ardhurave buxhetore, mbi 400 milionë euro. Pa rritje taksash, pa rritje borxhi, madje me ulje borxhi në nivelin 58. 8% të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo do të thotë që do të ulim çdo vit faturën e borxhit që do duhet të paguhet, nga gjeneratat që vijnë, përgjegjëshmëri dhe solidaritet. Nëse do të mbanim nivelin e borxhit në mbi 70% të PBB, siç e trashëguam, ne do të kishim sot në buxhet, edhe 3.5 miliardë euro shtesë”, – u shpreh ai.

Sipas Peleshit, qeveria socialiste ka zgjedhur që të mbështetet në menaxhimin e mirë të ekonomisë, përmes uljes së informalitetit dhe borxhit.

“Ne kemi zgjedhur të mbështetemi te menaxhimi i mirë, uljen e informalitetit, ulje e borxhit për të mbuluar paaftësinë e qeverisjes siç ndodhi në vitin 2013. Buxheti 2025 garanton rritje ekonomike të sigurt dhe të pakthyeshme dhe të lartë. Çdo vit është më I madh dhe më I lartë, se ai pararendës, por nuk gjen një vend në rajon që ta ketë dyfishuar ekonominë apo buxhetin. Pra, sot ne kemi një buxhet tre buxhete bashkë të vitit 2013. Të ardhurat për frymë janë trefishuar krahasuar me vitin 2013. Këto janë tregues se si matet ekonomia e një vendi”, nënvizoi Peleshi.

/a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakU emërua zëvendëssekretare e NATO-s, Hasani uron Shekerinskan: Angazhim i përbashkët për paqen dhe stabilitetin
Artikulli tjetërBuxheti 2025, Idrizi: Duhet të adresohet nxitja e industrisë prodhuese, arsimi cilësor dhe inovacioni