Ballina Aktualitet

Buxheti 2025, Idrizi: Duhet të adresohet nxitja e industrisë prodhuese, arsimi cilësor dhe inovacioni

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kreu i Grupit Parlamentar për “Demokraci dhe Integrim”, Shpëtim Idrizi tha sot, gjatë fjalës së tij në Kuvend, se projektbuxheti nuk adreson nevojën për nxitjen e industrisë prodhuese.

Ai theksoi se pr/buxheti ka dhe anë pozitive, por në thelb i mungon modeli ekonomik që adreson problematikat sociale dhe lufton varfërinë.

“Pr/buxheti meriton një debat real për objektivat ku do na çojë ky pr/buxhet. Shpenzimet 8.2 miliardë, të ardhurat në 7.6 miliardë euro. Rritja ekonomike 3.9% e GDP-së. Rritja investimeve në infrastrukturë, rritja e turizmit, shërbimi, investimet në infrastrukturë kanë rritur ekonominë, borxhi është ulur në 56%, inflacioni mbetet 3%. Të ardhurat nga taksat rriten mbi 500 milionë euro më shumë se sa në vitin 2024”, tha Idrizi.

“Buxheti në fakt, shumë e kanë quajtur buxheti më i madh historik, ca të tjerë, dyfish më të lartë se ai i 2013-ës. Qeveria është kredituar nga paratë e shqiptarëve me 7.6 miliardë euro. Duhet të arsyetojmë se si ky buxhet i ndan në sektorët prioritare kët para”, vijoi Idrizi.

“Babai ekonomisë politike, Adam Smith ka një shprehje që do ta përkufizonte mjaft mirë këtë debat: Ai thotë se një torbë me arë nuk do të thotë domosdoshmërisht një torbë me ushqime. Ky është buxheti në fakt i një vendi ku paga mesatare është sa 30% e atyre të BE. Dhe 40% e kësaj page shkon për ushqime, drita e uji. 20% e popullsisë në varfëri, 40% në kufirin social të varfërisë.

Me një emigracion problematik, ku sipas censusit të fundit kemi mbetur 2.4 milionë qytetarë. Mosha mesatare është 46 vjeç, duke rrezikuar edhe ritmet e rritjes ekonomike, pasi kapitali njerëzor është po kaq i rëndësishëm sa kapitali financiar. Me importe që arrijnë 5 miliardë euro dhe importet sa gjysma e tyre. Evazioni fiskal mbetet i lartë. Debati real që duhet të adresojë ky buxhet është modeli ekonomik dhe prioritetet e zhvillimit.

Në eksportojmë krahë pune, ato sjellin 1 miliardë euro në vit, ne ato para nuk i çojmë në zinxhirit të vlerës nga prodhimi, por blejmë në import. Me këtë buxhet, edhe pse në bujqësi janë angazhuar 450,000 persona, janë alokuar vetëm 45 milionë euro për subvencione. Ngjan e pakuptimtë”, – u shpreh Idrizi.

Ai preku edhe pjesën e turizmit, duke thënë se shumë shtete të falimentuara mbahen pikërisht nga turizmi.

“Ne kemi patur një performancë në turizëm, por shtete e falimentuara mbahen nga turizmi. Ne duhet të fusim elementë të tjerë për të nxitur ekonominë dhe këtu kam fjalën për industrinë prodhuese, e cila është 12% e GDP-së. Ne s’mund të krijojmë makina, por pjesë këmbimi patjetër që po. Shans i humbur pas pandemisë, ku shumë firma u larguan nga Kina, por padyshim që produkte ushqimore edhe ato mund t’i prodhojmë shumë mirë. Për këtë nevojitet arsim cilësor, adresuar inovacionit, që ky buxhet nuk e adreson”, përfundon Idrizi.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPeleshi: Buxheti 2025 garanton rritje ekonomike të sigurt dhe të pakthyeshme
Artikulli tjetërMediu: Ky buxhet nuk jep shpresë për ekonominë kombëtare