VARSHAVË, 19 nëntor /ATSH-AFP/- Vendet e mëdha të BE-së janë të gatshme të ofrojnë mbrojtje dhe ndihmë financiare për Ukrainën nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës reduktojnë mbështetjen, tha sot ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski.
Ai foli në ditën e 1000-të të pushtimit rus të Ukrainës fqinje, ndërsa ministrat e Jashtëm nga gjashtë vende të mëdha evropiane zhvilluan bisedime në Varshavë – duke u fokusuar te lufta dhe kthimi i Donald Trump në pushtet.
Diplomatët kryesorë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia iu bashkuan takimit, ndërsa David Lammy i Britanisë së Madhe dhe Jose Manuel Albares i Spanjës morën pjesë takimin online.
“Unë vlerësoj gatishmërinë e vendeve të mëdha të Bashkimit Evropian për të marrë përsipër barrën e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën në kontekstin e një reduktimi të mundshëm të përfshirjes së SHBA-së” u tha Sikorski gazetarëve pas bisedimeve.
Takimi i Varshavës pasoi një takim të të gjithë ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë kërcënon një ndryshim drastik në politikën amerikane gati tre vjet pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Ka një shqetësim të madh të përbashkët për situatën e sigurisë në Evropë dhe mbi të gjitha situatën në Ukrainë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë Kathrin Deschauer përpara bisedimeve.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiga ishte gjithashtu i ftuar, por nuk mundi të merrte pjesë pasi po udhëtonte midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.//a.i/























