Ballina Ekonomi

Bashkitë e veriut më pak të financuara, Malaj-Çollakut: Projektbuxheti 2025 me balancë gjeografike të investimeve

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se ka një shtrirje të balancuar gjeografike të investimeve dhe projekteve të reja nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, duke u kërkuar deputetëve të largohen nga retorika e ndasive krahinore.

Deputeti i Partisë “Djathtas 1912”, Kreshnik Çollaku foli për diskriminim në akordimin e fondeve për bashkitë e veriut, në krahasim me ato të jugut.

“Ky fenomen, diskriminimi i Veriut, buxheti qartësisht me interes elektoral dhe politik është i dallueshëm. Të gjitha bashkitë e veriut janë më pak të financuara, janë poshtë mesatares së gjithë vendit. Nuk e keni me kryetarët e bashkive, se shumica e tyre në veri drejtohen nga socialistët. Është qartësisht elektoral. Tepelena ka tre rrugë të asfaltuara për të dalë në det, ndërsa një qark si Dibra nuk ka një rrugë për të ardhur në Tiranë“, tha Çollaku.

Në replikë me deputetin Çollaku, Malaj tha se nuk mund të përdoret ndarja veri-jug për retorikë politike.

“Në të gjitha fjalimet përpiqet të vendoset ndasia për shpërndarjen e investimeve kapitale nga veriu në jug. Investimet e planifikuara kapitale në qarkun e Gjirokastrës janë 841 milionë lekë, për qarkun Kukës janë 1.3 miliard lekë, për Dibrën 5.4 miliardë lekë, Lezhën 1.2 miliard lekë, Shkodrën 1.6 miliard lekë”, u shpreh Malaj.

Ai kërkoi që deputetët të jenë korrekt me shifrat. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nis puna për rilindjen e Muzeut Arkeologjik të Korçës
Artikulli tjetërFermerët, aplikim në e-Albania pa dokumente për certifikatën e cilësisë për prodhimin e fidanëve