TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula mori pjesë sot në tryezën publike me temë “Forcimi i rolit mbikëqyrës, koordinues dhe monitorues të Kuvendit duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve si edhe përmirësimi i funksionit zgjedhës të Kuvendit duke respektuar parimet e meritokracisë, transparencës, paanshmërisë”.
Në fjalën e saj në tryezën e organizuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Sula tha se “meritokracia lidhet edhe me motivimin për sa i përket emërimeve të kandidatëve sa më të mirë, të ketë prurje sa më cilësore, dhe këtu ka vend për mënyrën si motivohen burimet njerëzore që vijnë në këto pozicione kaq të larta, në institucione kaq specifike”.
“Është e vështirë të gjesh njerëzit e duhur për institucione kaq specifike, por duhen mbajtur edhe të motivuar. Kur të bëjmë takimet bilaterale kemi dy-tre propozime si mund të mbahen përmes një pakete benefitesh të caktuara. Për projekte shumë të rëndësishme që ne kemi të gjenden forma novative jo aq shabllone për të na lejuar t’i kemi duart më të lira, sepse kemi edhe mandat e kohë të kufizuar për të arritur objektivat tona në funksion të eficiencës në punë”, tha Sula.
Më tej, Sula u shpreh se “ligji i organeve kolegjiale është i vjetër dhe me siguri secili nga ne ka ide dhe do të ishte e udhës që t’i merrnit idetë tona dhe t’i adresojmë ndryshimet aty”.
“Do të ishe mirë që ligji i organit kolegjial të adresonte edhe çështjet e etikës, ne kemi rregullore etike të gjithë, por është e vështirë për titullarët e institucioneve të sigurojnë një etikë të caktuar me anëtarë të organeve kolegjiale që i sjell Kuvendi”, theksoi Sula.
Sula tha se “do të ishte e udhës të kishte një instrument më të fortë se rregullorja e brendshme, parimet kryesore të etikës të kishin ligjin e organeve kolegjiale”.
/k.s/r.e/























