Ballina Flash

“Formula e Pagëzimit”, dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot Formulën e Pagëzimit. Dorëshkrimi latinisht me “Formulën e Pagëzimit” u gjet në bibliotekën “Laurenziana” të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij me 1915. Njihet si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot.

Ajo është një fjali e shkurtër shqip: “Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”. Kjo fjali u gjet në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Ëngjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut. Është një formulë që duhet të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund t’i çonin në kishë.

Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij.

Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”. Në këtë libër u përfshinë kumtesat kushtuar dokumentit të parë të shkruar në gjuhën shqipe. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTirana mirëpret tjetër aktivitet të rëndësishëm të Taekwondo
Artikulli tjetërKumbaro: Rikualifikim ekoparkut të Ulzës dhe ndërtim i qendrës multifunksionale në lumin Vjosa