Ballina Ekonomi

Minimumi jetik 200 euro i propozuar nga opozita, Malaj: I paplotë, nuk ka analizë të detajuar

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj tha sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit se propozimi i bërë nga deputetët e Partisë Demokratike në vitin 2023 për caktimin e një minimumi jetik në vlerën 200 euro në muaj është i paplotë.

Duke iu përgjigjur interesit të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për propozimin për minimumin jetik, Malaj tha se “propozimi i bërë është i paplotë, sepse nuk ka një analizë të detajuar për sa i përket përcaktimit të minimumit jetik, pra, pse ajo vlerë dhe jo një vlerë më e madhe”.

“E dyta, propozimi i bërë nuk përcakton nëse ai mbulon nevoja të personave në nevojë dhe për tepër nuk merr parasysh as ndihmat sociale që qeveria jep në llogaritjen e minimumit jetik”, tha Malaj.

“Besoj e keni marrë një përgjigje nga Ministria e Financave dhe ne e quajmë ezauruese përgjigjen në lidhje me këtë çështje”, theksoi Malaj.

Deputetja Tabaku u shpreh se “vijnë kolegët socialistë me një listë dëshirash që i kanë të gjitha mundësitë ti realizojnë me buxhet, se nuk kemi qeverisur ne, jemi në opozitë, jeni ju fatkeqësisht, në mazhorancë”.

Tabaku tha se “ka një propozim ligjor për minimumin jetik, i cili ka ardhur disa herë edhe kur është bërë prezantimi i projektbuxhetit. Ku ndodhemi me minimumin jetik dhe a ka ndonjë masë qeveria për pensionin minimal? Sa do të jetë pensioni minimal me këtë buxhet apo turi është vetëm çështje propagande meqenëse indeksimi i pensioneve nuk i kënaqi pensionistët?”.

Deputeti i PS-së Erion Braçe u shpreh se “nëse e bëjmë minimumin jetik 200 mijë lekë, a konsiderohet ndërhyrje në zgjedhje apo jo? Nëse ju nuk e konsideroni ndërhyrje në zgjedhje jemi në rregull, por nëse e konsideroni, është problem shumë i madh”.

/k.s/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Për anketuesit më të mirë në botë fiton Harris
Artikulli tjetërKrasniqi: Këshilli i Europës do të vijojë ta mbështesë AMA-n me ekspertizë dhe jo vetëm