TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Korça se Shqipëria është ndër vendet me mesataren më të lartë të rritjes së pagave, por nuk ndodh e njëjta gjë me pensionet.
“Pagat sot janë rritur. Ne jemi në mesataren më të lartë të rajonit, 950 euro është sot paga mesatare e mësueseve dhe sigurisht për ata që kanë paga në sektorin publik, kontributet janë të sigurta sepse ato ua merr shteti menjëherë, pastaj u jep pagën. Problemi është te pagat në sektorin privat”, u shpreh Rama.
Ai iu përgjigj edhe atyre që thonë se u kujtuan tani për të luftuar informalitetin.
“Ne e kemi gjetur skemën me 520 mijë kontribuues, e kemi rritur në mbi 800 mijë kontribues, pra 300 mijë më shumë në skemë dhe për këtë arsye skema që financon pensionet që garantonte 510 milionë euro në total, sot që flasim mbledh 1.3 miliardë. Por, nuk mjafton sepse për të paguar pensionet neve na duhen 1.8 miliardë. Gjysmë miliardë euro paguhen nga buxheti i shtetit për të dhënë këto pensione që janë”, theksoi Rama.
“Ne kemi rritur bonusin e fundvitit. Dikur ishte njëri që ju thoshte do t’ju japim një gjel, edhe jepej një bonus 3 mijë lekë për gjelin dhe kur ishin 2 pensionistë merrnin 3 mijë, jo 6 mijë lekë. Ne bëmë bonusin 50 euro për secilin pensionist, nëse janë çift marrin 100 euro bonus. Po të mbledhim të gjitha ato para që janë vënë ekstra nga buxheti i shtetit vetëm për bonuset janë 440 milionë euro. Afro gjysmë miliardi tjetër”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se indeksimi prej 4.1% e pensioneve nuk lidhet me rritjen e tyre.
“U bë indeksimi i pensioneve me 4.1% dhe ju u gjendet përpara një furie të madhe nëpër ato klubet e natës televizive, ja si u tall Edi Rama, si u tallën socialistët, ja se çfarë ju dhanë në fund, ju thanë do jua rrisim dhe jua rritën 4.1%. Kjo nuk është rritje e pensioneve, por është indeksimi vjetor i pensioneve që bazohet në ligjin që qeveria e zbaton çdo vit, ai del nga llogaria përkundër rritjes së çmimeve”, tha Rama.
Indeksimi, sipas tij, për pensionistët bëhet sepse atyre nuk u rriten pensionet, siç rriten pagat.
“Një gjë kemi bërë ne me vullnet kur plasi lufta në Ukrainë dhe pati rritje të çmimeve dhe ne bëmë dy indeksime, dhe kjo u llogarit në 9% rritje e pensionit. Totali i vetëm këtyre indeksimeve që duken si gjë e vogël shkon 250 milionë euro të tjera në vite nga buxheti i shtetit. Tek pensionet nuk është si te pagat, sepse është rritur edhe numri i pensionistëve. Në vitin 2013 kishim 570 mijë pensionistë, sot kemi 705 mijë sepse është rritur edhe jetëgjatësia”, tha Rama.
/e.i/























