Ballina Aktualitet

Berisha: I bëj thirrje BE-së të heqë dorë nga mbështetja e kësaj drejtësie

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference për medie u ka bërë thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe vendeve partnere që të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie, e cila, sipas tij, kontrollohet nga kryeministri Edi Rama.

Duke folur për Reformën në Drejtësi, Berisha tha se reforma ka dështuar dhe se drejtësia e re është një drejtësi e munguar për qytetarët shqiptarë.

“Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza edhe në drejtim të ish-ambasadores së SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim, për të cilën tha se është “bashkautore në grushtin e shtetit që iu bë opozitës shqiptare, në një rast mbi baza kryekëput korruptive”.

“Besoj se për ju e çdo shqiptar, sot është bërë e qartë se shkaku madhor i shpalljes non-grata të Sali Berishës qëndronte në mbrojtjen nga ai të interesave kombëtare dhe denoncimit nga ai të korrupsionit të narkoqeveritarëve shqiptarë dhe diplomatëve të korruptuar ndërkombëtarë”, tha Berisha.

“Unë i bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA të ndërmarrë një hetim për rolin e saj në këto procese”, shtoi Berisha.

I pyetur në lidhje me koalicionin zgjedhor me Partinë e Lirisë, në një kohë kur presidenti i kësaj force politike është në burg, Berisha tha se çështja e koalicionit është një çështje e hapur dhe se PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet.

“Partia e Lirisë është një parti aleate. Ilir Meta është një i burgosur politik”, tha Berisha.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – NATO konfirmon praninë e ushtarëve koreano-veriorë në Rusi
Artikulli tjetërXhafaj: Reforma në Drejtësi e pakthyeshme, kontribut në dhënien fund të pandëshkueshmërisë