TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka përcjellë përmes rrjeteve sociale, një hapësirë të re në Tiranë që është çelur për të gjithë të rinjtë dhe personat e apasionuar pas inovacionit dhe risive teknologjike.
“Në çeljen e Slush’dTirana, një event që sjell një frymë të re dhe një vizion të qartë për inovacionin në Shqipëri! Me liderët e së ardhmes, të rinj që guxojnë të ndryshojnë botën përmes risive të tyre, Tiranës i jepet një vend prestigjioz në skenën globale, përkrah 130 vendeve partnere, mbi 4 mijë start-up dhe më shumë se 25 mijë pjesëmarrës. Në zemër të kryeqytetit, Piramida e Tiranës, tashmë transformuar në një qendër të fuqishme të inovacionit, është dëshmia jonë se si një ndërtesë historike mund të shndërrohet në një simbol të së ardhmes”, thotë Gonxhja në postimin në rrjetet sociale.
Kjo hapësirë e re është një pikë tërheqëse për inovacionin dhe teknologjinë që dukshëm përcjellë edhe një vizion të qartë të qeverisë në mbështetjen për të rinjtë, zhvillimin e teknologjisë dhe gjithë risitë e inovacionit.
“Dhe teksa sot, Slush’dTirana zhvillohet pikërisht këtu, vizioni ynë për ta bërë Shqipërinë një pikë tërheqëse për inovacionin dhe teknologjinë është më i qartë se kurrë. Në asnjë fushë tjetër nuk ka kaq shumë vend për të gjithë si në botën e inovacionit dhe teknologjisë, një univers unik në zgjerim, ku edhe Shqipëria po lë gjurmët e saj. Përgëzime të sinqerta për gjithë ekipin që qëndron pas Slush’d Tirana për pasionin dhe vendosmërinë e treguar! Një iniciativë frymëzuese që tregon se kur ka vullnet dhe vizion, çdo gjë është e mundur”, përfundon Gonxhja.
/e.i/a.f/r.e/























