PARIS, 24 tetor /ATSH/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka hapur një konferencë në Paris në mbështetje të Libanit, me synimin për të mbledhur fonde me vlerë rreth 300 milion për të adresuar krizën në rritje humanitare të shkaktuar nga bombardimet izraelite, sipas “The Guardian”.
Shumica e vëzhguesve thanë se Macron, presidenti i Francës, i cili ka lidhje historike me Libanin, ka të ngjarë të ketë sukses me detyrën e tij të parë, pjesërisht për shkak të donacioneve që priten të vijnë nga shtetet e Gjirit me shumicë sunite.
Franca shpreson se kjo do të pasqyrojë një interesim të ringjallur në Liban, të cilin këto shtete e kishin neglizhuar, duke lënë hapësirë për zgjerimin e grupit shiit Hezbollah gjatë viteve të fundit.
Por, qëllimi i dytë për të arritur një armëpushim mbetet pothuajse i pamundur – pasi SHBA-ja duket se ka vendosur të japë mbështetjen e saj për ofensivën e Izraelit, për shkak të dëmeve të pakthyeshme ndaj Hezbollahut të mbështetura nga Irani.
Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, është një nga shumë diplomatët kryesorë që nuk marrin pjesë në takimin e Parisit, duke reflektuar një mosmarrëveshje midis Parisit dhe SHBA-së – për mënyrën se si trajtohet kriza e Izraelit dhe Libanit.
Blinken, i cili aktualisht ndodhet në Katar ka planifikuar të zhvillojë nesër një takim me udhëheqësit arabë në Londër.
Hezbollahu, me shumicën e udhëheqjes së tij të lartë të vrarë nga Izraeli, tha nuk do të flasë për strategjinë e tij politike apo ushtarake derisa Izraeli të zbatojë një armëpushim. Izraeli tha se do të vazhdojë të dobësojë Hezbollahun si në Bejrut ashtu edhe në jug të lumit Litani.
Franca nuk ka vendosur një shifër të caktuar mbi shumën që shpreson të mbledhë, por OKB-ja ka thënë se nevojiten më shumë se 400 milion dollarë. Përpara konferencës, Gjermania njoftoi 62 milionë dollarë shtesë ndihmë humanitare për Libanin.
Përpjekjet franceze për të siguruar një armëpushim mbështeten tek Hezbollahu, duke deklaruar qartë se është i gatshëm t’i japë fund luftës së tij – përpara se të arrihet një armëpushim në Gazë.
Franca gjithashtu shpreson në arritjen e një marrëveshjeje në parim në konferencë – për të financuar, zgjeruar dhe trajnuar forcat zyrtare të armatosura libaneze. //a.i/























