Ballina Flash

“Dita e Shkopit të Bardhë”, personat e verbër marshim simbolik në Tiranë

TIRANË/ 15 tetor/ ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, dita që simbolizon pavarësinë dhe lirinë e lëvizjes për personat e verbër. Dhe nisur nga kjo ditë e veçantë, një grup prej disa personash që bëjnë pjesë në këtë kategori, kanë organizuar një marshim simbolik në kryeqytet, që nisi nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”.

Me banderola dhe pankarta në duar, ata kërkojnë vëmendjen e shtetit dhe autoriteteve që t’i ndihmojnë në sfidat e tyre të përditshme. Nga investimi në infrastrukturën e dedikuar për personat me aftësi të kufizuar të shikimit, te sinjalizimet zanore nëpër semaforë apo udhëzues të tjerë në vende publike.

Të pranishmit në këtë marshim bënë thirrje për ndërmarrjen e masave konkrete që u garantojnë atyre një akses gjithëpërfshirës, pavarësisht aftësive. Një prej këtyre pikave kryesore, mbetet infrastruktura që u përmirëson cilësinë e jetës dhe u jep mundësinë të lëvizin në mënyrë të pavarur, për t’u angazhuar më pas në jetën e përditshme dhe aktivitete të ndryshme shoqërore.

/Ermira Isufaj/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTrafik i emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme, 20 të arrestuar, 4 në kërkim
Artikulli tjetërHapja e grup-kapitujve të parë të negociatave me BE-në, Tabaku: Shqipëria ka nevojë për të punuar në disa fusha