Ballina Flash

Hasani: Shqipëria nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Mbështetjes për Ukrainën

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Më shumë se 30 vende, përfshirë Shqipërinë, miratuan Deklaratën e Përbashkët të Mbështetjes për Rimëkëmbjen dhe Rindërtimin e Ukrainës.

Në ceremoninë ku morën pjesë Presidenti i SHBA, Joe Biden, presidenti ukrahinas Volodymyr Zelenksyy, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Shqipëria u përfaqësua nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Deklarata rikonfirmon angazhimin e palëkundur ndërkombëtar për të qëndruar përkrah popullit ukrainas në luftën e tij për liri, paqe dhe drejtësi.

“Ukraina mund dhe do të ngrihet nga dëmet e shkaktuara, të rigjallërojë ekonominë e saj dhe të rivendosë shpresën për një të ardhme paqësore për popullin e saj”, u shpreh ministri Hasani.

I mbështetur gjatë takimit të Grupit të Shtatë (G7) + Ukrainën, dokumenti përmban disa pika, duke përfshirë ndihmën për rindërtimin e Ukrainës, ndihmën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe sigurimin e rreth 50 miliardë dollarëve deri në fund të vitit 2024, të përfituara nga asetet e ngrira ruse.

Vendet që miratuan deklaratën janë: Shqipëria, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Italia, Japonia, Kosova, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Republika e Irlandës, Rumania, Sllovenia, Spanja, Suedia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakForcohet dollari në tregun valutor, bie euroja
Artikulli tjetërBalluku: Unaza e madhe e Tiranës lidhet tërësisht dhe dorëzohet në fund të këtij viti