Ballina Bota

KIEV – Zelensky u kërkon partnerëve veprime vendimtare, pas sulmeve masive ajrore ruse

KIEV, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje partnerëve globalë për “veprime vendimtare”, pas sulmit të fundit rus në Ukrainë, për të cilin ai thotë se përfshinte më shumë se 100 raketa dhe disa dronë.

“Dobësia dhe reagimet e papërshtatshme nxisin terrorin”, tha Zelensky në një video-mesazh të shkurtër të postuar sot në platformën e mediave sociale X.

“Çdo lider, secili prej partnerëve tanë, i di veprimet vendimtare që kërkohen për t’i dhënë fund kësaj lufte me drejtësi”, theksoi ai.

Ai përsëri bëri thirrje për heqjen e kufizimeve në përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara nga partnerët perëndimorë, të cilat aktualisht pengojnë Ukrainën të godasë thellë në territorin rus.

“Ukraina nuk mund të kufizohet në aftësitë e saj me rreze të gjatë veprimi, kur terroristët nuk përballen me kufizime të tilla”, tha Zelensky.

“Amerika, Britania, Franca dhe partnerët tanë të tjerë kanë fuqinë për të na ndihmuar të ndalojmë këtë terror. Është koha për veprime vendimtare”, tha presidenti.

Rusia kreu sulme masive ajrore në Ukrainë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në atë që Zelensky e përshkroi si një nga sulmet ajrore më të rënda në dy vjet e gjysmë lufte./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPHENIAN – Kim Jong Un bën thirrje për më shumë dronë vetëvrasës
Artikulli tjetërKoçiu: Hap dyert së shpejti Poliklinika në Shkodër me 19 kabinete të specialiteteve të ndryshme