Ballina Aktualitet

Opozita protestë para bashkisë së Tiranës

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e radhës e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partisë së Lirisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.

Në fjalën e tij nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti tha se “në nisje të vitit të ri shkollor, kryeqyteti ka sërish shkolla me turne dhe ka mungesë kopshtesh dhe çerdhesh. Por ne nuk do t’i falim asnjë qindarkë, asnjë abuzim, asnjë shkelje. Në gjyqin popullor do t’ia bëjmë një më një dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë derisa ata të largohen nga zyrat e tyre”.

“Tirana sot duhet të kishte sipërmarrje të fortë dhe jo qepena të mbyllur. Duhet të kishte sipërmarrës që do të zhvillonin veten e tyre, do të ecnin përpara, do të hapnin vende pune, ndërkohë që i vetmi vend sektor që hap vende pune është sektori i betonit, sektori i pastrimit të parave me kulla”, theksoi Teliti.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se “330 mln euro është buxheti i bashkisë, ose 1 mln euro në ditë ka buxhet ky institucion për të shpenzuar për këtë qytet, për të dhënë më shumë shërbime, për të garantuar ujë të pijshëm, shkolla, rrugë të mira, dhe çdo shërbim përfshirë edhe ato pak lulishte që për fat të keq janë kthyer në sheshe ndërtimi për kullat e drogës”.

“I vetmi shërbim që për 3 mandate në krye të kësaj bashkie ka garantuar Erion Veliaj është pikërisht avancimi i aferës së plehrave. Është i vetmi shërbim që vazhdon pa asnjë pengesë, as nga drejtësia, që ende nuk vazhdon të ndërpresë pagesat për një shërbim që nuk kryhet”, tha Blushi.

Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu tha se “është ky pushtet, që me largimin e qytetarëve, ata që kanë mbetur, kërkon t’i mbysë me ndotje. A i keni parë lajmet se si njëmijë tonë mbetje toksike ikin dhe vijnë, ikin dhe vijnë në Shqipërinë tonë?! A e dini kush i sjell dhe kush i çon?!”.

Për shkak të zhvillimit të protestës, disa prej segmenteve rrugore të kryeqytetit u bllokuan ditën e sotme. Policia njoftoi qytetarët se deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë bashkisë së Tiranës.

/k.s/a.f

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRekrutonte të huaja për prostitucion, arrestohet një shtetase kineze
Artikulli tjetërAMA bashkëpunim me platformën TikTok, Krasniqi: Raportoni përmbajtjet e dëmshme