Ballina Aktualitet

Ndalohet 43-vjeçari, tentoi kalimin e kufirit me 29 850 euro të padeklaruara

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Një 43-vjeçar, që tentoi të dilte nga pika e kalimit kufitar në Kakavijë me 29 850 euro të padeklaruara, u procedua penalisht. Gjithashtu është sekuestruar shuma e parave.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit E. S., ku u gjetën 29 850 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin E. S., 43 vjeç, banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

/r.e/a.f

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Nga shtatori shi investimesh në Lezhë”, Ndreu: Përmirësojmë jetën e qytetarëve
Artikulli tjetërVrasja në Pogradec, Gjykata e Korçës: Prokuroria ka kërkuar akuzën “vrasje nga pakujdesia”